Filip Shiroka (1859 - 1935)

  Shko Dallëndyshe


Udha e mbarë, se erdh prendvera, 
shko dallendyshe tue fluturue, 
prej Misirit n’dhena tjera 
fusha e male tue kërkue; 
n’Shqypni shko, pra, fluturim, 
shko në Shkodër, n’gjytet tim!

Shndet prej mejet të m’i falesh 
saj’ shpis’ vjetër ku jam le, 
me ato vende rreth t’përfalesh 
ku kam shkue kohën e re; 
atje shko, pra, fluturim, 
fal me shndet gjytetit tim!


Shko n’at shkollën ku jam msue 
me shokë t’mi, shokt e fmnisë, 
shko n’at Kishë ku kam urue 
t’parën Uratë Perendisë, 
atje shko, pra, fluturim, 
fal me shndet gjytetit tim!

Me ato male, me ato kodra, 
me ato prronje rreth t’përfalesh; 
n’ato fusha qi m’ka Shkodra, 
të lulzueme, aty t’ndalesh, 
tue këndue me ambëlcim: 
fal me shndet gjytetit tim!

T’mujshe edh’ un me fluturue, 
dojsh’ edhe un me u nisë me ty, 
dojshe n’Shkodër me kalue, 
m’e pa prap at vend me sy!… 
Por… ti shko atje flutrim; 
e ti qajma fatin tim!…

Dhe kur t’mrrish në Fushë t’Rmajit, 
dallendyshe ulu me pushue; 
kam dy vorre n’at vend t’vajit, 
t’nans e t’babs qi m’kan mjerue: 
qaj me za t’përmallshëm shqim 
nji kangë tanden gjith vajtim!…

Ka shum kohë qi s’jam n’Shqypni 
n’ato vorre me vajtue, 
ti dallendyshe, veshun në zi, 
ti aty pra qaj për mue, 
me nj’at za t’përmallshëm shqim, 
kangën tande për vajtim!


Dallëndyshe eja

Mirë se vjen, me krahë te letë, 
Dallndryshë, tui fluturue! 
Mirë se vjen! M’ket ânë te xetë 
T’dheut t’Misirit me dimnue: 
Eja, prá, ktu fluturim, 
M’gzò me at zâ gjith âmbëlcim!

Kur jé nisë t’kam porositun 
Atje larg t’shkojsh kah Shqypnija; 
M’difto pra, kur ké shetitun 
A t’kan ra n’mend fjalt e mija, 
Me m’shkue n’Shkoder fluturim, 
Me m’j’u falë gjytetit t’im?!

Atje malet n’i paç pá, 
Jânë prej boret nalt zbardhue: 
N’ato fushat ne paç rá, 
Janë me lule lulëzue 
Atje n’paç vojtë fluturim 
Aty âsht gjyteti i im!

Barit t’njomë gjith atje veshen 
Çuka e kodra, e atje ndinë 
Tue këndue blegtoreshe 
Qi kullotë rreth bagtinë; 
Atje n’paç vojt fluturim, 
Aty âsht gjyteti i im!

N’Shkodren t’ime të Shqypnisë 
Burrat lejnë qi s’dijnë ç’âsht friga, 
Çupat e bukra t’urtisë 
Atje lejnë qi s’dinë ç’âsht flliga; 
Atje n’pàç vojt fluturim 
Aty âsht gjyteti i im!

Dishroj shum, por…nuk po dij 
A kam pràp fàt t’mirë me shkue 
Nji herë tjetër ne Shqypni, 
N’Shkodren t’ime me kalue... 
Atje dù t’shkoj fluturim, 
T’vdes aty n’gjytetin t’im!

T’kam pas thânë... se n’Fushë t’Rmajit 
Kam dy vorre t’dashtunisë, 
Nânë e babë kàm n’at vênd vajit, 
Qi m’kanë lânun t’vorfenisë; 
Me zânë t’ând t’përmâllshëm shqim, 
A m’ke bâ mbi’ tà vajtim?!

A u kè thânë se un t’kam çue 
Prindët e dashtun me m’i qà?! 
A u kè thânë sà kam lotue 
Kur t’kam nisë vorrin m’e pâ?! 
A e kè thânë, t’përmallshme shqim, 
Kângen t’ânde gjithë vajtim?!

A u kè thânë se zêmra e ime 
N’ dhenë t’hueja keq u shkri, 
Se s’ka gzim, as s’ka ngushllime 
Se po digjet për Shqypni?! 
Me zânë t’ând t’përvajshëm shqim, 
A e kè qamun fatin t’im?! 

Prà dallndryshë, kah kè shetitun 
Gjytetin t’im a e kè pà?! 
N’ato vênde kû kè rritun, 
N’mênd për mue a te kà rà, 
Me m’shkue n’Shkodër fluturim, 
Me m’j’u falë gjytetit t’im?!


Nji lules se vyshkun

Lulja e bukur – keput kush te ka,
Prej shoqesh tueja – kush te paska nda?…
M’je vyshke e thamun – lulja e shkrete
Qysh se te kane tret
Se ti dhe une – nda prej shoqenise
Larg prej qytetit – tim, prej Shqiperise
Si ti u dogja – lulja e shkrete
Ne dhe t’huejin tret
Ti, ne kopsht tandin – ku ke lulzue
T’ka ushqye vesa – dielli t’ka gzue
Por tash je veshkun – lulja e shkrete
Tash qi t’ka trete!
Edh’ un, n’dhe timin – gjith i gazmue
Prindet me knaqshin – isha i lumnue
Por tash po digjem lulja e shkrete
N’dhe t’huejin trete

No comments:

Post a Comment