DIn Mehmeti (1929 - 2010)

Shkrimtar shqiptar nga Kosova. Ka studiuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Beogradit. Ai ka qenë profesor në Shkollën Pedagogjike të Gjakovës. Në mars 1999 u njoftua nga shumë burime informacioni se ai u vra nga policia serbe gjatë Luftës së Kosovës, por pas disa ditësh ky njoftim u përgënjeshtrua. Edhe pse ka botuar disa proza, kritika letrare dhe një dramë, Din Mehmeti njihet kryesisht për poezinë e tij figurative, e cila është botuar që nga viti 1961 deri në vitin 1999 në 16 vëllime. Poezinë e parë e botoi në vitin 1949 në revistën letrare Jeta e Re. Poezia e Din Mehmetit shquhet për ndjeshmëri popullore. Ashtu si dhe Ali Podrimja, i cili është po nga Gjakova, ai mbështetet në shumë figura, metafora, dhe simbole të poezisë popullore të Shqipërisë së Veriut për të mbrujtur dhe ndërtuar lirikat e tij të trazuara me vizionin stoik të malësorëve. Megjithëse është një fllad i lehtë romantik që përshkon poezinë e tij, sikundër e pati cilësuar dikur kritiku Rexhep Qosja, ky përdorim krijues i folklorit është i shkrirë fuqishëm me një rrjedhë realiste, herë-herë ironike, që buron pjesërisht nga etika e revoltës në traditën e Migjenit (1911-1938) dhe Esad Mekulit (lindur në 1916). Shqetësimi poetik i Din Mehmetit, megjithatë, nuk i drejtohet protestës mesianike ose kritikës sociale, por krijimtarisë artistike dhe përvojës individuale. Libri i tij "As në tokë as në qiell" është e ndarë në pesë cikle : "Trimat e këngës sime", "Bishat e bardha", "Kujtesa e letrave", "Barka ime mbahu", dhe "Këngë për vete". Titulli i ciklit të katërt, "Barka ime mbahu", është ndofta simbolik për praninë e sotme e letrave shqipe, bile edhe të shqiptarëve në Jugosllavi. Ai vjen nga poezia "Dialog me liqenin", shkruar në Strugë buzë Liqenit të Ohrit në kufirin jugosllavo-shqiptar, gjatë Festës Ndërkombëtare të Poezisë në Strugë në gusht 1987. 

Poezit:
Krismë është emri im 
Kosovë zog i diellit


 

Që të rriten lulet e bardha

1.
Flini të qetë,
Se në gjakun tuaj do të shumëzohën
pranverat e pavdekshme
e zogjtë do të ndërtojnë cerdhe
plisave tuaj të tretur.

Ju dhatë gjërat më të shtrenjta
për të ngritur tempuj prej gjaku,
që dielli të mos rrënohet,
që toka të mos digjet.

ju mbollët besimin e jetës
në rrënjët e luleve
dhe me eshtra shkruat
biografinë e dritës....


2.
Flini të qetë!
kjo tokë ju lindi
nga hiri i ëndrrave të lirisë.
që të këtë rreze dita,
që të këtë ujë burimi,
që të rriten lulet e bardha në mendjen e njerëzimit,
që nga shpirti të shpërthejë bardhësia
që liri të ketë me bollëk,
që të shtrohet buka pa frikë në sofër,
që njeriu mbi tjetrin të mos ngrihet si bishë,
që kopsht lulediejsh të bëhet jeta.

3.
Flini!
Ju ka hije gjumi i përjetshëm,
sepse s'deshët të jetoni të vdekur në jetë,
pa dashuri,
pa gaz në fytyrë,
pa shpresa në zemër,
pa tokë, që mbani si shtrojë
pa qiell, që mbani si mbulojë,
pa lumenj, që ju burojnë në sy,
pa diell, që mbani në duar...

4. Flini të qetë!
Ju s'keni pse të ankoheni,
gjërat më të shtrenjta i dhatë për Kosovën,
dhe dashurinë tuaj e shenuat
në cdo lule,
në cdo gur,
në cdo rrugë.


Mallkimi i Gjakut

Zbraze , zbraze një pushkë
në derë të oborrit, o Zeqë Shpati !
Le të zgjohen të përgjumurit
strofujve të gjëmimeve shekullore,
Se sot po na shkon Fata e po shuhet kënga e dashurisë 
që këndoi plangjeve tona !
Po te shkon Fatë zeza , o bacë
me sy të qëndisur me ngjyrën e kopshteve ,
me buzë posa të skuqura në bukën e misrit të ri….

O, çikë e pate
E jo fëmijë të gjetur buzë rrugëve ! 
O, e as rroktare jo
Për të punuar nëpër ara

Pse je shurdhuar , bre bacë ?
A s’kallesh në flakën e krahëve të vogëlushes së dashur
Që e fale pa dëshirën e saj ?

Po të shkon Fata me flokë bishtaleca të shelgjishteve
në zbërthim,
me harqe vetullash—dy krahë lejleku në fluturim ,
me bebëza vizëlluse—dy liqene të fshehura
në pishnajë….

O, ae di , Zeq Shpati, 
se për ty vetima hapësirën shpon
lumenjtë dalin nga shtrati me zllapa pikëllimi në brigje,
se mordja mbi pullaze zdirgjet dhe lëpin jetën
E pëllumbave
që ajo ushqyer i ka me troha buke në shtigje

Zbraze fjalën si pushkën dikur, o Zeq Shpati
qëllo hallkën e vargonjve të ndryshkur
duarve të vogëlusheve tona
se
S’është kanu gjaku yt të mallkojë !…



KRISMË ËSHTË EMRI IM

Kam bredhur rrafshit të Dukagjinit
me tupan të plasur pas shpinde,
prej dasmës në dasëm
prej lindjes në lindje
duke ngritur zërin e kullave
mbi re të nxira,
unë tupanxhiu i djegur.

Hej,    krismë është emri im,
krismë është jeta dhe vdekja ime!

2

Mos t'ju vijë çudi
që në shumë vende më ka plasur balli
si gjollës së rjepur në verë
pritjeve të ditëve të mëdha
përcjelljeve të kohërave të vdekura.

Mos t'ju vijë çudi
që agimet e mjegulluara
e njohin veten në sytë mi,
plot ëndrra të idhta të kësaj toke:

I

Më kujtohet një kohë e hekurt,
kur erdh një hordhi kalorsish të dalë bese
dhe u ngulën në oborret tona të nemura
si gurrët e varrevet.

Erdhën me sy plot urrejtje
dhe vranë rrugët e dritaret
e në majë të thikave të ndryshkura
vunë zogjt' e trollit,
zogjit' që me sqeptha shkruanin në qiell
emrin e oxhaqeve tona.

Erdhën...
Shkaben e vdekjeve e vunë
mbi varret e dërmitura të gjyshërve,
mbi sofra
dhe me pikla plumbi shkruan emrin e tyre
buzë djepeve të foshnjave të zverdhura.

Prej asaj dite, hej,
përplaset një gjëmë logjeve të erërave,
një lemëritje
që eopton qiellin
me fjalë të vdekura.

II

Dikush në mes nesh e ngriti gishtin gjer të flaka,
gjer te lartësitë e mospërkuljes —
.shpata e parë ia preu krahun e qëndresës.

Dikush prej nesh e ngriti gjuhën gjer te hiri,
gjer të fjala e pathënë —
shpata e dytë ja këputi rrezet e dashura të tokës

Dhe këngëtari ynë
mbet itë llomotitë për kulmet e errëta,
për majet e kuqe,
për tymrat e dalë nga shpirtrat e vuajtur
dhe zogjve s'u kishte mbetur tjetër
veç të ciceronin në kremtimet e gënjyera
të gjakut,
të ngrenin lart në kreni veten e përbuzur,
veten e tyre të harruar nga vetja,
e poshtë e lartë
në flamurin tonë të djegur
merrte frymë kobi...

III

E fërkoi syrin e djathtë,
syrin e tretur në re,
dhe vërejti oxhaqet e shtëpive
tek ngrinin në qiell tymin
e shpirtërave tona:

Erdhën me akuj në buzë,
erdhën me hekur ndër zemra,
hynë me frikën në duar
dhe përtypën një skelet të gjallë,
aty ku i binte ai
aty ku u tregonte përralla nipërave të hutuar.

E lidhën këmbëduarsh
dhe ja shëmtuan ballin e vrarëlije
duke kënduar këngë të vjetra gjaku
në të cilat shembej çdo gjë
që kishte krijuar.

Erdhën...
tërë natën rrëmihen tokën gjer në ujë
gjer në fund të jetës sonë në rrëmujë.

Diku poshtë gjetën teneqe të ndryshkura,
diku poshtë gjetën eshtra të thyera,
diku poshtë gjetën dorëzat e kalbura
të lahutave dhe fjalë të përgjakura
në të cilat ishin thyer dhëmbët e shekujve.

Rreth nesh vajtonte era
rreth nesh uluronin bishat
mbi gjakun tonë të mbetur.
IV

E ngriti kokën nga qielli i mrrolur.
Rigonte:

Kënga e parë

Nëse doni të dini si e qet tufën bima ndër ara,
vërend rrudhat e mia si lavra të erërave,
se kjo është toka e tyre lavruar moteve të egra,

nëse doni të dini cila. është dashuria ime,
le të flasë kulla e shpuar,
le të flasë tok.a e stolisur me varre,
sepse të çarave të saj një zë prore ka jehuar:

Për gjuhë,
për tokë,
për nder
na kurrë s'jemi ngopur nga vdekjet...

Kënga e dytë

Rrënoni bjeshkët e nemura, rrënoni.
Jeta le të shkimbet
në vatrat pesë herë të kallura,
ujë le të dalë
aty ku janë shtruar sofrat,
bollat le të zvarrisen
aty ku anë ndezur zjarret,

mordjet le të pushojnë
aty ku janë përkundur djepet,
se dikush e paska vjedhur diellin
diellin e betimeve tona kryelarta..

V

Te Ura e krahëve të djegur
u tërbuan kërramzat e shpirtit

të Ura e krahëve të sosur
u gjet një grumbull skeletesh
të përdredhura

dhe do copëza të harruara të natës
që shitojnë rrezet e para të agimit

aty prore zogjtë thurin elegjinë e blerimit...

VI

E gjuajti duqin e cigares në ujë
dhe fshani —
nëpër shtëpia shtrihej terri:

Merre tupanin — më pat thënë babai
e dil në kodër të fshatit,
në kodrën e bjerrjeve
dhe qëndresave tona.

Rrahe me thupër e mësukë
gjersa të ngrihet fryma e fundit
në ballin e tij plotë rrudha.

Dil e rrahe
e stërrahe
që ngrohësh zemrat e këputura

Dil e mbaje fjalën në krisma
që mos të rrënohet mbi kokat tona qielli

2

Kam thirrur
gjersa nga qielli ka pikluar breshër
kam kërkuar zjarr nga bjeshkët e Nemuna,
ato janë kthyer në ujë
kam kërkuar ujë nga fushat e thata
ato jonë kthyer në zjarr —
në fillim e në mbarim
fjala ime e kallur.

VII

Vetima shtatëkrerëshe shkruante emrin e asaj nate
gjëmimeve tona të shfrenuara:

Zëri i parë:

Mbyllni dyert sonte, jehoi një zë i shterrur,
se po vjen një stuhi me vdekje në duar.
Fshehuni nëpër kullat e hutuara
dhe vëreni dritareve
se ç'po ndodh me ne sonte!...

Zëri i dytë:

Një re e zezë e ka verbuar diellin
që të fiket fisi yrA i mallkuar
dhe s'do të dijë askush nesër
se këtu janë kënduar këngë për lirinë e dashur,
për fitoret që janë nxjerrë nga gjaku.

Zëri i tretë:

Më mirë të largohemi nga ky vend i nemur
na hupanat e rrugëve të shpuara,
na ushtarët e pluhrosur
po ikim më mirë
se s'do të kemi vend as ndër varre
le të mbetet mbrapa këmbësoria jonë e kuqe.


Zëri i katërt:
Po mbëtem në ujë
Ose veten po e vrasim si gjithmonë
ferra le të lulëzojnë
gjurmëve tona.

Zëri i pestë:

Jo, jo    u shkreh një zë i fortë në log,
këtu do të rrimë
si gjyshërit tonë më parë
ku dielli rreshk i ka fytyrat tona
si drithnajat ndër ara,
ku na kanë bërë heronj nënat ninullave të shpirtit
ku shkruar i kanë sytë tanë me puthjet e ngrohta
si flaka

Zëri i gjashtë:

Këtu do të qëndrojmë
edhe sikur të rrënohet mbi ne murana e qiellit
se më lehtë është të vdesësh ku të njohin,
ku të përcjellin i madh e i vogël gjer te varri
ku të përlotin vajtoret për të mirat e bëra,
ku mbetesh këngë e pashuar
se sa të digjesh shtigjeve të botës
i untë për tokë e varre...




KOSOVE ZOG I DIELLIT


I
Je fjalë e ruajtur nga dheu
që hyn nëpër gjak
e del nëpër diell

je krahëror i shpuar nga plumbat
krua i gjetur në palcën e shkëmbit
të nxirë nga gjuajtjet nëpër kohë

Kosovë lahutë e djegur këngësh
E thirrjesh ndër revolucione

II
je emër i paksuar në luftë
për të mbetur e bukur
për gjuhën që s'deshi të këputet
nga rrenjët e legjendës së vjetër

je stuhi e vringëllimave të shpatave
tokë e bleruar ndër ëndrra
tokë e rritur në gjinj
nëpër vite e shekuj

Kosovë pushkë e gjatë e zbrazur
nga rruga e nga pylli

III
E gurë të thyer mbi gurë
                                     e mur —
shpend i vrarë në bebëza

e gurë të ngrënë mbi rrashtë
                                     e duar —
durim i gjakut në emër

e rrashtë e shpuar mbi gurë
                                     e flamur —
lum i zi lum i kuq në zemër

IV
je ylli im dhe vdekja ime
kë zërin e ninullave
ninullave të kënduara kryengritjeve

je gjuha ime dhe ashti im
ke formën e sofrës —
sofrës së dasmave të kuqe

je e tashmja dhe e ardhshmja ime
ke syrin prej lulediellit —
lulediellit të skuqur nga flaka e pushkës
të rritur nga gjaku e djersa

V
djepi yt më ka rritur
djepi yt më ka plakur
                        Rrugët tymojnë
në prehrin tënd jemi gjetur
në prehrin tënd kemi mbetur
                        Këngët jehojnë
Kosovë tokë e paepur

VI
pas teje
shekujt gurë të shpuar breg rrugëve
                                    ëndërrojnë
pas teje
dejtë e tharë rreth zemrave
                                     lotojnë
pas teje
kullat e verbuara ditëve të përflakura
                                     recitojnë
pas teje
tokë e qiell muze eshtrash e dritash
                                     gjakojn
pas teje

pas teje
fjalët e mia të ngurëzuara në shkëmb
                                     të kërkojn
 
VII
të kërkoj ndër libra
të gjej në gjuhë —

rrethatore e ngrirë e brezit

të kërkoj nëpër dete
të gjej në shkëmb —

fanar i dritës dhe i gjakut

të kërkoj ndër varre
të gjej në tufat e kallinjve
si mustaqet e rritura të nipave –

Kosovë lavër e skuqur e ballit tim

VIII
të dua për farën
që tufoi edhe ndër varre
edhe mes gishtërinjve
edhe ndër sy

të dua për farën
që s'e kalbi as gjaku
që s'e mërdhiri acari

që s'e shterri as thatësira

të dua për duart
që libra shkruajnë
për ikjet e kthimet tua
nëpër fërfëllaza e të reshura

të dua për kullat triherë të kallura
të ndërtura sërish nëpër krisma

të dua për emrin që shkrove
me maje të briskit nëpër lisa
për shqiponjat që i qendise
shamiave të djemve të vetëm
për ndjekjet rrahjet vdekjet
Mehmet Dinës
për yrishet e tij sukave
për pushkën e tij pa rrip
për fishekët e tij nëpër xhepa
të dua për damarët e dritës
në duart e Din Mehmetit

IX
e kullat e djegura të mbikullave
lomsha flake në qiell

e pushkët e heshtura nga pushkët
                                                për një emër
për një djep për një qiell —
recital i gjuhës
kosovë krismë e gjatë

X
qëndroj para teje me një pushkë
e me një laps —
porosia jote më kallë
fryma jote më jep zemër jetë më jep

qëndroj para teje me një drapër
me një çekan —
syri yt dashuri e zjarrtë

XI
të dua për duart e qara duke lidhur
shekujt sukave të zgjuara
për duart mbi tanksa të Hitherit
                                                e Musolinit
për pishtarët e lirisë

të dua për këngët e babait
mbrëmjeve pa dritë
për fishekët e tij nëpër xhepa
për lutjet e nënave vetëtimave
për pranverat që nxjerre nga gjoksi
për yjet diejt tokës së plleshme
të dua për duar që ngrejnë ura
që lidhin në mesveti popujt
për ato që ndërtojnë shkolla në fshat

Kosovë shqipanjë vallëtare shkëmbinjsh
dhe fushash të bleruara

të dua për një kështjellë eshtrash
për një shpatë
për një emër
për gjithçka që shihet e preket
për gjithçka në ëndërr e zhgandërr

të dua kur qeshi kur qaj
kur ngritem kur zbres
kur eçtohem kur kam uri
kur dashuroj kur çmendem
Kosovë zog i Diellit...


No comments:

Post a Comment